Politika e privatësisë
Në fuqi nga 10 tetor 2026
Kjo politikë shpjegon cilat të dhëna mbledh Fustana, pse i mbledh, me kë i ndan dhe çfarë të drejtash ke. Fustana është aplikacion celular (iOS dhe Android) ku njerëzit blejnë, shesin dhe japin me qira fustane mes vete. Operatori është Fustana, me seli në Kosovë.
1. Kush jemi dhe si të na kontaktosh
Përgjegjës për të dhënat e tua është Fustana. Për çdo pyetje rreth privatësisë na shkruaj në [email protected] ose na kontakto në telefon/WhatsApp në +383 44 708 977.
2. Të dhënat që na jep ti
- Llogaria: emri, mbiemri dhe email-i. Hyn pa fjalëkalim, me një kod 6-shifror që ta dërgojmë në email. Ruajmë edhe gjuhën që zgjedh në aplikacion.
- Shpalljet: fotot, titulli, përshkrimi, madhësia, marka, ngjyrat, gjendja, materialet, çmimi, shteti dhe qyteti.
- Mesazhet: mesazhet dhe fotot që dërgon në bisedë.
- Të preferuarat: shpalljet që i ruan si të preferuara.
- Raportimet: kur raporton një shpallje ose një përdorues, ruajmë raportimin që ta shqyrtojmë.
- Lista e pritjes: kur lë email-in në faqen tonë që të të njoftojmë për lansimin, ruajmë email-in, telefonin që zgjodhe (iPhone ose Android), çfarë do të bësh në Fustana nëse na e tregove, dhe shtetin e përafërt sipas adresës IP. I përdorim vetëm për të të njoftuar kur të dalë aplikacioni dhe për të kuptuar ku ka më shumë interes. Mund të largohesh kurdo nga linku në email ose duke na shkruar; pas lansimit lista fshihet.
3. Të dhënat që mblidhen automatikisht
- Koha kur ishe aktiv/e për herë të fundit, që të tjerët të shohin nëse je online dhe nëse mesazhi u dorëzua.
- Adresa IP, e përdorur shkurtimisht për të kufizuar kërkesat e tepërta dhe për të parandaluar abuzimin.
- Numri i shikimeve të shpalljeve, vetëm si numër i përgjithshëm.
- Regjistra bazë të serverit (p.sh. gabime dhe kërkesa), për ta mbajtur shërbimin të sigurt dhe funksional.
Nuk përdorim gjurmues reklamash, as SDK analitike, dhe nuk i shesim të dhënat e tua. Në pajisjen tënde aplikacioni ruan një kopje të përmbajtjes së fundit (që të hapet më shpejt) dhe tokenin e sesionit në hapësirën e sigurt të pajisjes.
4. Pse i përdorim
- Për të krijuar llogarinë dhe për të të identifikuar kur hyn.
- Për të shfaqur shpalljet e tua dhe për të mundësuar bisedat mes përdoruesve.
- Për të shqyrtuar shpalljet e reja, raportimet dhe për ta mbajtur platformën të sigurt.
- Për të llogaritur tarifën e postimit dhe për të mbajtur evidencën e pagesave.
- Për të të dërguar email-e të nevojshme (kodin e hyrjes, njoftime për ndryshime të rëndësishme).
- Për të përmbushur detyrimet ligjore.
Bazat ligjore janë: kontrata me ty (për të ofruar shërbimin), interesi ynë i ligjshëm (siguria dhe parandalimi i mashtrimeve) dhe detyrimet ligjore.
5. Çfarë shohin përdoruesit e tjerë
Të tjerët shohin emrin dhe mbiemrin tënd, statusin online, shpalljet e tua dhe, vetëm personi me të cilin bisedon, mesazhet që i dërgon. Email-i yt nuk u shfaqet kurrë përdoruesve të tjerë.
6. Tarifa e postimit
Për çdo shpallje paguhet një tarifë e njëhershme (Standard 4,99 €, Premium 19,99 €) në aplikacion. Ruajmë paketën që zgjodhe dhe shumën e paguar. Nuk i ruajmë të dhënat e kartës bankare.
Postimi falas është dhuratë që e jep vetëm Fustana, për llogari të caktuara dhe për një periudhë të caktuar. Për këtë ruajmë vetëm faktin që llogaria e ka këtë dhuratë.
7. Me kë i ndajmë të dhënat
Përdorim vetëm këta ofrues shërbimesh, që i përpunojnë të dhënat në emrin tonë:
- Vercel: hostimi i API-së dhe ruajtja e fotove (Vercel Blob).
- Neon: baza e të dhënave PostgreSQL.
- Resend: dërgimi i email-eve.
Të dhënat mund të përpunohen në BE dhe në SHBA. Mund t’i ndajmë të dhënat edhe kur na e kërkon ligji ose një autoritet kompetent.
8. Moderimi dhe raportimet
Ekipi i Fustanës i shqyrton shpalljet e reja para se të publikohen. Raportimet i shqyrtojmë brenda 24 orësh. Kur raportohet një bisedë, ekipi mund ta lexojë atë bisedë për ta trajtuar raportimin.
9. Sa kohë i ruajmë
I ruajmë të dhënat për sa kohë ekziston llogaria. Mund ta fshish llogarinë kurdo në aplikacion (Profili → Të dhënat personale → Fshi llogarinë). Kjo fshin menjëherë shpalljet, bisedat (për të dyja palët), të preferuarat dhe fotot. Kopjet rezervë dhe regjistrat fshihen brenda 30 ditësh. Regjistrimet e paverifikuara dhe fotot e ngarkuara që nuk përdoren pastrohen automatikisht.
10. Të drejtat e tua
Ke të drejtë të:
- kërkosh qasje në të dhënat e tua;
- korrigjosh të dhënat e pasakta;
- kërkosh fshirjen e tyre;
- marrësh një kopje të tyre në format të lexueshëm (portabiliteti);
- kundërshtosh përpunimin e bazuar në interesin tonë të ligjshëm.
Na shkruaj në [email protected]. Ke gjithashtu të drejtë të ankohesh te autoriteti për mbrojtjen e të dhënave: në Kosovë, Agjencia për Informim dhe Privatësi; në BE, autoriteti i vendit ku jeton.
11. Mosha
Duhet të jesh të paktën 16 vjeç për ta përdorur Fustanën. Për të shitur ose për të dhënë me qira duhet të jesh 18 vjeç, ose të kesh pëlqimin e prindit aty ku ligji e lejon.
12. Siguria
Lidhjet me serverin janë të enkriptuara dhe qasja në të dhëna kufizohet vetëm te ata që kanë nevojë. Asnjë sistem nuk është plotësisht i sigurt, por bëjmë çmos t’i mbrojmë të dhënat e tua.
13. Ndryshimet
Nëse e ndryshojmë këtë politikë në mënyrë të rëndësishme, të njoftojmë në aplikacion ose me email para se ndryshimet të hyjnë në fuqi.